Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi Andrija Mandiq ka bërë të ditur se ora e kryeministrit do të mbahet në dhjetor dhe deklaroi se do ta caktojë atë seancë nëse kryeministri Millojko Spajiq nuk mund të shpallë datën e saktë.
Kreu i Klubit të Lëvizjes Qytetare URA, Millosh Konatar, ka kërkuar caktimin e seancës kushtuar orës së kryeministrit.
“Meqenëse prej disa kohësh nuk kemi mundësi të marrim informacione nga Qeveria se kur mund të vijë Spajiqi në Kuvend dhe as nuk e shohim dëshirën e tij për të biseduar me deputetët dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre, ju lutemi, që pavarësisht refuzimit të kryeministrit për të ardhur në Kuvend, caktoni takim me kryeministrin sa më parë”, tha Konatar në Kuvend.
Ai ka kërkuar që ora e kryeministrit të mbahet para seancës së buxhetit.