GJELOSHAJ: E-TREGTIA DHE DIGJITALIZIMI LUAJNË NJË ROL KYÇ NË ZHVILLIMIN E TREGUT TË CEFTA-s

Qeveria së bashku me partnerët nga BE-ja do të vazhdojë të punojë në forcimin e tregut rajonal, zgjidhjen e sfidave dhe sigurimin që CEFTA të jetë një instrument edhe më efektiv i bashkëpunimit dhe zhvillimit, tha zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj. 

Në konferencën e Javës së CEFTA-s të quajtur eCEFTA: Kliko, lidh dhe tregto, e cila u mbajt sot në Podgoricë, ai tha se suksesi i CEFTA-s sot paraqet jo vetëm prosperitet ekonomik, por edhe një hap solid drejt të ardhmes evropiane

“Gjatë presidencës së CEFTA-s, Mali i Zi u përpoq të përmirësojë punën e mekanizmave të CEFTA-s, të inkurajojë dialogun, të promovojë interesat e përbashkëta dhe të lehtësojë bashkëpunimin tregtar, i cili në fund do të kontribuojë në rritjen shtesë dhe krijimin e një perspektive të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor,” tha Gjeloshaj, i cili është edhe ministër i Zhvillimit Ekonomik. 

Sipas tij, bashkëpunimi me CEFTA-n nuk është vetëm mjet për forcimin e ekonomisë rajonale, por edhe përgatitjen e terrenit për integrim të ardhshëm në kontekstin më të gjerë evropian. “Mali i Zi është plotësisht i përkushtuar për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal përmes zbatimit të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe CEFTA 2006, si instrumente të rëndësishme për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit dhe Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon”, shtoi Gjeloshaj.

SHARE