JAKUPI: ËSHTË E RËNDËSISHME QË DIASPORA TË MARRË PJESË NË MËNYRË AKTIVE NË REGJISTRIM

Regjistrimi i popullsisë ka një rëndësi të madhe statistikore, sepse paraqet bazën për krijimin e strategjive për dhjetë vitet e ardhshme dhe për këtë është e rëndësishme që diaspora malazeze të marrë pjesë në mënyrë aktive në atë proces, tha ushtruesi i detyrës së drejtorit të Drejtorisë për bashkëpunim me diasporën, Arben Jakupi.

Dje ka filluar regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në Mal të Zi, ndërsa Jakupi tha se regjistrimi ka një rëndësi të madhe statistikore.

Ky proces, siç tha ai, është baza për krijimin e strategjive për dhjetë vitet e ardhshme.

“Në atë kontekst duam të theksojmë se sa e rëndësishme është që të gjithë pjesëtarët e diasporës sonë të marrin pjesë në mënyrë aktive në atë projekt, duke u regjistruar vetë dhe familjet e tyre”, tha Jakupi.

Ai tha se Monstat ka ofruar një komoditet të veçantë, që një familjar që ndodhet në vendlindje, mund t’i listojë të gjithë anëtarët që nuk janë të pranishëm në Mal të Zi për momentin.

“Ju ftojmë që të ndërmerrni hapa që të gjithë anëtarët e familjes tuaj të regjistrohen në këtë projekt të rëndësishëm. Nëse keni anëtarë të familjes në Mal të Zi, ju lutemi t’i dërgoni dokumentet e nevojshme që të regjistrohen”, tha Jakupi.

Ai u bëri thirrje atyre që nuk kanë familjarë të pranishëm në vendlindje që të delegojnë një anëtar të familjes për të marrë pjesë në regjistrim.

“Kontributi juaj në këtë projekt do të na ndihmojë të krijojmë një pamje të saktë me të dhëna të reja demografike, sociale dhe ekonomike të përditësuara”, thuhet në deklaratë.

Thuhet se kjo do të rezultojë në marrjen e vendimeve të informuara në lidhje me politikat publike, burimet dhe planifikimin zhvillimor të Malit të Zi, si dhe ndërtimin e strategjive përkatëse për periudhën e ardhshme dhjetëvjeçare.

SHARE