SËRISH TENSIONE NË SEANCËN E KUVENDIT TË SHQIPËRISË

Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë sërish nga tensionet dhe incidentet, pasi deputetët e opozitës kanë penguar zhvillimin e seancës së sotme plenare, ku ishte planifikuar të diskutohej për çështjet e evidentuara nga qytetarët.

Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe deputetë të tjerë opozitarë kanë bllokuar foltoren me karrige dhe kanë hedhur tymuese, duke shkaktuar edhe zjarr.

Tensionet nisën që para fillimit të seancës gjatë kontrollit të deputetëve nga punonjësit e Gardës së Shqipërisë. Disa minuta pas hapjes së seancës plenare, deputetët e opozitës kanë hedhur tymuese, ndërkohë, janë përplasur edhe me punonjësit e Gardës.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në hapje të seancës, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, tha se “nuk mund të minojnë veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë”.

“Na duhet fatkeqësisht ta hapim këtë seancë plenare në këtë situatë kaosi, në këtë situatë të turpshme, ku kërkohet të futet puna e Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh Nikolla.

Ndërkohë, disa nga deputetët e partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), në mes të tensioneve dhe incidenteve, folën për problematika të evidentuara nga qytetarët në zonat që përfaqësojnë.

Në mes të tensioneve, seanca e cila zgjati rreth 14 minuta u mbyll nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Në një deklaratë për mediat sot pas seancës, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili nga Kuvendi njihet si deputet jashtë grupeve parlamentare për shkak të përplasjeve të fundit në Partinë Demokratike, e konsideroi seancën e sotme si “seanca e turpit”.

“Kreativiteti i mosbindjes civile në mbrojtje të parlamentarizmit, në mbrojtje të kushtetutshmërisë nuk njeh kufi”, u shpreh Berisha, duke theksuar se do vazhdojnë betejën e tyre.

Kujtojmë se seancat e fundit plenare dhe të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë janë përfshirë nga tensionet.

Deputetët opozitarë kanë theksuar se “opozita është e vendosur që me këtë betejë në parlament të mbrojë me gjithë forcën të drejtat e saj kushtetuese”, pasi sipas tyre nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen nismat dhe kërkesat e tyre.

Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe deputetë të tjerë opozitarë kanë deklaruar më parë se “parlamenti është shndërruar në një institucion personal të kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla”.

SHARE