KOSOVË, PRESIDENTJA OSMANI NË DITËN E FORCËS: FSK-ja E GATSHME PËR ANËTARËSIM NË NATO

Me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) organizuan “Ditën e hapur” nga ora 10:00 deri në orën 13:00.

Në manifestimin qendror i cili u mbajt në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, morën pjesë presidentja e vendit Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministra dhe udhëheqës të tjerë të institucioneve, si dhe përfaqësues ushtarakë e diplomatikë të vendeve të huaja me mision në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për anëtarësim në aleancën e NATO-s.

Osmani tha se kjo është ditë krenarie për të gjithë qytetarët dhe pjesëtarët e FSK-së.

“Është ditë kur ne me shumë krenari kujtojmë sakrificën jashtëzakonisht të madhe të popullit tonë, të ushtrisë sonë çlirimtare për të ardhur në këtë ditë. Është derdhur shumë gjak që Kosova ta ketë ushtrinë e saj, prandaj jam e bindur që secili ushtar dhe secila ushtare e mban këtë uniformë me shumë krenari dhe është i gatshëm që ta japë edhe jetën për atdheun nëse është nevoja”, theksoi Osmani.

Osmani tha se komandanti suprem i FSK-së punon me institucionet e tjera për të krijuar kushte edhe më të favorshme për pjesëtarët e FSK-së.

Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës ka vënë në fokus Ministrinë e Mbrojtjes, duke dyfishuar buxhetin për këtë ministri në më pak se tre vjet.

“Ka bërë gati trefishim të investimeve në armatim dhe më shumë se katërfishim të trajnimeve dhe shkollimeve të oficerëve dhe ushtarëve tanë jashtë vendit. Konkretisht, për më pak se 32 muaj kemi dërguar 3 mijë e 459 ushtarë e oficerë jashtë vendit”, theksoi Kurti.

Çdo 27 nëntor, në qytetet kryesore të vendit shënohet Dita e Forcës e cila është ditë e hapur për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të vizitojnë kazermat e FSK-së, si në Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin, ku qytetarët mund të shohin pajisje, armatime, demonstrime dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së.

SHARE