STOLTENBERG NË PRISHTINË: STABILITETI NË RAJON KA RËNDËSI PËR SIGURINË TONË

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1.000 trupa – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës – tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë. Në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Stoltenberg tha se stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor “ka rëndësi për sigurinë tonë”. Ai shtoi se NATO do të zbatojë mandatin e misionit të tij në Kosovë, KFOR, për të ofruar mjedis dhe lëvizje për të gjitha komunitetet. Duke folur për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit nga një grup i serbëve të armatosur, Stoltenberg tha se përgjegjësit për sulmin duhet të përballen me drejtësinë. Ai tha se këtë mesazh do ta përcjellë edhe gjatë takimeve që do të zhvillojë më 21 nëntor në Beograd. Kosova për këtë sulm, që e cilëson terrorist, e ka fajësuar Serbinë. Por, Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit. Stoltenberg po ashtu mirëpriti draft-statutin e ri për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Themelimi i Asociacionit “do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të raporteve dhe drejt paqes së qëndrueshme në rajon”, tha Stoltenberg. I pyetur për mundësinë që Kosova të bëhet pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe, Stoltenberg tha se për këtë kërkohet vendim unanim i të gjithë anëtarëve të aleancës. Para Kosovës, Stoltenberg qëndroi në Bosnje e Hercegovinë, ku u takua me krerët shtetërorë dhe përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. Në Sarajevë shefi i NATO-s tha se aleanca është e shqetësuar me retorikën e ndarjes dhe me ndikimin rus në rajon. Shefi i NATO-s porositi që të gjithë të përkushtohen për sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai shtoi se aleatët “e mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”. Vizita e Stoltenbergut në rajon vjen mes paralajmërimeve nga Ukraina se Rusia synon të nxisë konflikt mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

SHARE