DUKAJ: ADMINISTRATA PUBLIKE DUHET TË JETË NJË VEND KU TALENTET PËRPAROJNË

Vizioni i qeverisë është që administrata publike të jetë një vend ku lulëzojnë talentet dhe qytetarëve u ofrohen shërbimet më të mira, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj. 

Siç njoftoi Ministria e Administratës Publike (MAP), Dukaj foli në panelin ministror në formatin online, në kuadër të dialogut politik të nivelit të lartë për reformën në administratën publike. 

Siç tha ai, Qeveria e 44-të e njohu reformën e administratës publike si një nga fushat kyçe në procesin e integrimit të mëtejshëm evropian. 

“Dokumenti ynë strategjik është në përputhje me parimet e rishikuara të administratës së mirë publike të publikuar nga SIGMA, me qëllim krijimin e një administrate publike të bazuar në zyrtarë profesionistë dhe kompetentë, dhe përdorimin e procesit të digjitalizimit për të krijuar shërbime publike që janë në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe ekonomisë”, tha Dukaj. 

Ai theksoi disa arritje kyçe, të cilat paraqesin hapa të rëndësishëm drejt arritjes së qëllimit të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

Ministri tha se administrata malazeze po investon fuqishëm në transformimin digjital për të përmirësuar qasjen në shërbime dhe komunikimin me qytetarët. 

Sipas tij, futja e sistemeve të qeverisjes elektronike, nënshkrimit elektronik, pagesave elektronike dhe sistemeve të tjera kyçe, të cilat u krijuan në periudhën e kaluar, mundësoi komunikim më efikas dhe transparent ndërmjet autoriteteve shtetërore dhe qytetarëve, duke ulur burokracinë dhe duke lehtësuar aksesin në informacion dhe shërbime. 

“Ato përpjekje ishin veçanërisht sfiduese gjatë sulmeve kibernetike të vitit të kaluar, të cilat u ndjenë nga të gjitha vendet e rajonit”, tha Dukaj. 

Ai tha se po punojnë me përkushtim në rrumbullakimin e bazës ligjore për zhvillimin e mëtutjeshëm të administratës publike malazeze, siç është Ligji për Qeverinë, i cili do të zgjidhë një sërë çështjesh dhe do të përmirësojë më tej proceset demokratike.

“Po ashtu transparenca dhe çiltërsia, si dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje, është prioritet i Qeverisë”, theksoi Dukaj. 

Ai tha se fokus i veçantë është decentralizimi dhe përmirësimi i vetëqeverisjes lokale në një sistem modern dhe funksional. 

Siç tha ai, për herë të parë Mali i Zi në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë ka filluar një analizë që do të ndihmojë në planifikimin e mëtejshëm të politikave dhe procesin e decentralizimit. 

Sipas Dukajt, të gjitha këto përpjekje kanë për qëllim krijimin e një ambienti modern dhe tërheqës për punonjësit, tërheqjen e talenteve të ndryshme dhe aftësimin e punonjësve që të zhvillojnë dhe realizojnë potencialin e tyre të plotë.

SHARE