QEVERIA E RE KA GJASHTË MUAJ KOHË PËR TË TREGUAR SE ËSHTË SERIOZE NË NEGOCIATAT ME BE-në

Qeveria e re malazeze do të ketë gjysmë viti kohë për të treguar se është serioze në zbatimin e reformave, në mënyrë që në këmbim të tyre të fillojë mbylljen e kapitujve të negociatave dhe të marrë para nga fondi i ri i Bashkimit Evropian (BE), është bërë e ditur për Vijesti në selinë e BE-së në Bruksel.

“Ka ardhur momenti i së vërtetës, Mali i Zi tani ka qeveri të re, ka edhe parlament, nuk ka më justifikime. Do të ishte turp të mos përfitohej nga disponimi i mirë për zgjerim që ekziston aktualisht në Bruksel dhe në mesin e shteteve anëtare. Na duhet të paktën një histori suksesi”, tha një nga zyrtarët e BE-së me të cilin Vijesti foli javën e kaluar në Bruksel.

Pritet që deri në fund të muajit, një delegacion i Komisionit Evropian (KE) i kryesuar nga një zyrtar i lartë të vizitojë Podgoricën, i cili do të zhvillojë bisedime në atë drejtim me përgjegjësit për kapitujt 23 dhe 24 të negociatave, ku progresi është vendimtar për vazhdimin dhe përshpejtimin e negociatave dhjetëvjeçare për anëtarësimin e Malit të Zi në BE.

Para kësaj, tashmë gjatë kësaj jave, ministrat e financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të takohen me përfaqësues të KE-së në Shkup, ku do të diskutojnë për infrastrukturën dhe projektet tjera që eventualisht do të financohen me grante dhe kredi të lira nga gjysma e Fondit katërvjeçar për Rritjen dhe Reformat prej gjashtë miliardë eurosh, që KE propozoi javën e kaluar.

Ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi do të duhet të përgatisë një plan për reformat e tij nga viti 2024 deri në vitin 2027, i cili do të miratohet nga KE.

Reformat do të jenë të lidhura me afate dhe zbatimi i tyre do të jetë kusht për marrjen e parave evropiane si mbështetje buxhetore dy herë në vit, pra çdo gjashtë muaj. Plani duhet të bazohet në rekomandimet e raportit të progresit, si dhe në programin e reformës ekonomike të secilit vend.

SHARE