Deputetët e Lëvizjes Qytetare URA janë të gatshëm që në Kuvendin e Malit të Zi të propozojnë ndryshime në Ligjin e Fond PIO, me të cilat do të korrigjohet padrejtësia ndaj punëtorëve dhe pensionistëve dhe do të rikthehet mosha e pensionit, tha sot deputeti i LQ URA, Millosh Konatar.
Ai ka rikujtuar se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dispozitën e nenit 17 paragrafit 1 të Ligjit të Fond PIO, i cili u mundësonte grave të ushtrojnë të drejtën e pensionit në moshën 64 vjeçare dhe burrave në moshën 66 vjeçare.
Konatar bëri të ditur gjithashtu se deputetët e Lëvizjes Qytetare URA janë të hapur për diskutime me shoqatat e punëdhënësve, pensionistëve dhe sindikatat me synimin për të miratuar zgjidhjen më të mirë ligjore.
“Ne do t’i propozojmë Kuvendit ndryshime në ligj, duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin do të rivendosim kufirin e moshës dhe do të korrigjojmë padrejtësinë”, përfundoi Konatar.