Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq tha se është e rëndësishme që ta zgjidhim çështjen e realizimit të regjistrimit në mënyrën më të mirë dhe me konsensusin më të gjerë, që do të na japë të dhëna relevante për zhvillimin e mëtejshëm të Malit të Zi në interesin tonë të përbashkët.
Spajiq u takua me përfaqësues të vetëqeverisjes lokale në kuadër të konsultimeve në lidhje me zbatimin e regjistrimit të popullsisë të planifikuar për më 30 nëntor.
Ai shprehu kënaqësinë për takimin me krerët e vetëqeverisjes lokale, i cili, siç tha ai, ishte një platformë e mirë për bashkëpunim edhe për çështje të tjera të rëndësishme për zhvillimin shoqëror.
Siç njofton Qeveria, Spajiq i ka njoftuar bashkëbiseduesit edhe për bisedat që ka pasur me përfaqësues të partive parlamentare, sektorit joqeveritar dhe përfaqësues të kombeve pakicë.
“Ekziston një vullnet i mirë i qeverisë dhe i imja personale për të përmbushur të gjitha kërkesat konstruktive dhe me qëllime të mira”, theksoi Spajiq.
Përfaqësuesit e komunave shprehën qëndrim pozitiv ndaj gatishmërisë së Qeverisë për të kontribuar në zgjidhjen e problemit në komunikim të drejtpërdrejtë me vetëqeverisjet lokale dhe e informuan kryeministrin për aktivitetet e ndërmarra për realizimin e regjistrimit në periudhën e planifikuar.
Bashkëbiseduesit diskutuan për modelet e finalizimit të procedurave përgatitore dhe shprehën pritshmërinë që vetë procesi, ashtu si dialogu i sotëm, të zhvillohet në një atmosferë të civilizuar dhe demokratike.
Në takim morën pjesë përfaqësuesit e Administratës së Statistikave dhe ministrat Fatmir Gjeka dhe Novica Vukoviq.