Qeveria e re e Malit të Zi duhet të fokusohet në reformat e lidhura me BE-në për të siguruar që institucionet demokratike dhe gjyqësori të jenë plotësisht funksionale, tha komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
“Përmbushja e standardeve nga kapitujt për sundimin e ligjit, 23 dhe 24, do të jetë vendimtar për rrjedhën e mëtejshme të negociatave, kapitujt e tjerë nuk do të mbyllen para këtyre dyve”, tha Varheli në seancën e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), ku prezantoi Paketën e Zgjerimit.
Raportuesi për Malin e Zi, Tonino Piculla, tha se Mali i Zi e ka humbur rastin për mbylljen e negociatave gjatë mandatit të këtij Komisioni.
“Na vjen keq që Mali i Zi nuk ka bërë përparim të madh në përgjithësi”, tha Piculla, duke kujtuar pjesën nga raporti i KE-së në të cilën thuhej se sistemi gjyqësor ende po përballet me një krizë të thellë institucionale, e cila çon në lidership dhe menaxhim të dobët, mungesë të vizionit strategjik dhe planifikimit të dobët, gjë që ndikon në aftësinë e vendit për të dhënë drejtësi.
“Tani ne shohim gjithashtu disa njerëz që janë hapur kundër BE-së,” tha Piculla.
Oliver Varheli, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve evropianë, tha, duke folur për zgjerimin, se është e rëndësishme që dera të jetë e hapur, të ketë vullnet politik në BE për të mirëpritur anëtarët e rinj dhe kjo duhet të jetë shkas për reforma të reja.
“Ky është një mesazh për të 10 vendet – sa më shpejt të zbatoni reformat e nevojshme, aq më shpejt do të bëheni anëtarë”, tha Varheli.