Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë është përfshirë përsëri nga tensionet, pasi deputetët e opozitës kanë penguar diskutimet rreth projektligjeve.
Deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe deputetë të tjerë opozitarë jashtë grupeve parlamentare, kanë bllokuar foltoren me karrige, ndërsa kanë hedhur edhe tymuese në sallë.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në hapje të seancës theksoi se e gjithë kjo që ndodh “është një turp për parlamentarizmin shqiptar”.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, Nikolla theksoi: “Harroni që parlamenti nuk janë karriget, nuk është godina, është përgjegjësi dhe vullnet që mesa duket juve ju mungon”.
Në një deklaratë për mediat sot, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili nga Kuvendi njihet si deputet jashtë grupeve parlamentare për shkak të përplasjeve të fundit në Partinë Demokratike, ka theksuar së kërkojnë “Rikthimin e të drejtës së opozitës për të ushtruar veprimtarinë e vet ligjvënëse”.
Në mes të tensioneve dhe rrëmujës së krijuar, Kuvendi ka miratuar disa projektligje të parashikuara të diskutoheshin në seancën e sotme, përfshirë edhe për ndryshimet ligjore në ligjin “Për avokaturën e shtetit”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Bullgarisë, për mbrojtjen shoqërore” dhe disa projektligje të tjera.
Pas miratimit të projektligjeve, kryeparlamentarja Nikolla njoftoi mbylljen e seancës.