Perspektiva e anëtarësimit të plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian edhe para vitit 2030 është mjaft realiste dhe e mundshme, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është në vizitë zyrtare në Mal të Zi.
Ai theksoi se Mali i Zi nuk ka çështje të hapura me fqinjët e tij, se është anëtar i NATO-s dhe se ka avancuar më tej në procesin e integrimit evropian se të gjitha vendet e tjera kandidate.
“Ajo e harmonizon plotësisht politikën e saj me politikën e BE-së dhe ka një shumicë politike vërtetë të orientuar drejt reformave. Të gjitha këto kumulative nuk e ka pasur asnjë vend tjetër që aspiron të jetë anëtar i BE-së, gjë që e shtjellova më tej në bisedën me Presidenten e KE-së,“ tha Millatoviq.
Ai tha se beson se anëtarësimi i Malit të Zi në BE do të ishte një mesazh i madh për të gjitha vendet kandidate se procesi i zgjerimit është i gjallë.
Ursula von der Leyen tha se zgjerimi i BE-së është në krye të prioriteteve të Komisionit Evropian.
Ajo theksoi se Mali i Zi ka qenë prej kohësh vendi që ka bërë më shumë përparim në rrugën e tij drejt BE-së.
“Më vjen mirë që jeni të vendosur ta ruani atë pozicion”, theksoi ajo. Kryetarja e KE-së tha se me Millatoviqin ka folur edhe për nevojën e “përafrimit të ekonomive tona”.
Ajo vuri në dukje se Mali i Zi ka potencialin të jetë një furnizues kryesor i energjisë elektrike në rajon.
E pyetur për qëndrimin e Millatoviqit se Mali i Zi mund të anëtarësohet në BE edhe para vitit 2030 dhe sa realist është ky, kryetarja e KE tha se “nuk ka nevojë të presim”.