Kërpudha të Mbushura me Proshutë dhe Djathë

Kërpudhat janë nga ato ushqime që mbartin shumë vlera ushqyese, por që nuk gatuhen shumë në përditshmëri.

Ato njihen si një nga burimet më të mëdha të vitaminës D, që është shumë e nevojshme për shëndetin e lëkurës dhe të gjithë organizmit.

Kërpudhat ndihmojnë sistemin nervor dhe forcojnë sistemin imunitar.

Të pasura me fibër, kalium dhe vitaminë C, ato ndihmojnë gjithashtu në mirëmbajtjen e sistemit kardiovaskular.

Në një vetëm një pjatë, ju do të përfitoni një shije të veçantë e me plot shëndet.

Ajo çka duhet të bëni është të hiqni bishtat e kërpudhave, t’i mbushni me djathë kaçkavall dhe proshutë, e në fund t’i piqni.

Në mënyrë që t’i konsumoni sa më shpesh, AgroWeb.org ju tregon më poshtë një nga mënyrat e thjeshta dhe të shpejta të gatimit të tyre.

Përbërësit (për një person):

  • 10 kërpudha të freskëta
  • 50 g proshutë të tymosur
  • 50 gr djathë kaçkavall
  • vaj ulliri
  • kripë dhe erëza për shije (rigon, borzilok, rozmarinë, piper i zi, majdanoz i thatë)

Përgatitja:

Filloni duke larë mirë kërpudhat dhe duke hequr bishtat e tyre, në këtë mënyrë do të krijoni hapësirën e nevojshme për mbushjen e tyre.

Më pas vazhdoni duke grirë djathin kaçkavall dhe duke prerë në copa të vogla proshutën.

Përziejini së bashku këto përbërës dhe lërini mënjëanë për t’i përdorur në hapin tjetër.

Në një tavë pjekjeje shtroni një letë furre të cilën duhet ta lyeni me pak vaj ulliri.

Vendosni në tavë kërpudhat dhe mbushini ato me përzierjen e djathit kaçkavall dhe copave të proshutës.

Sipër ayre shtoni kripë dhe erëzat tuaja të preferuara.

Përfundoni duke i spërkatur përsëri me pak vaj ulliri.

Vendoseni tavën në furrë dhe piqini në 200 gradë C për rreth 10 minuta.

AgroWeb.org ju këshillon t’i shërbeni kërpudhat me një gotë me verë të bardhë.

SHARE