Supë me Perime të Stinës – E Lehtë Plot Shëndet

Më të mirat perime të stinës, të pasura me vlera ushqyese, e sigurisht super të shijshme të sjella në një pjatë supe janë dhurata më e mirë për një organizëm të fuqishëm dhe të shëndetshëm.

Një supë e lehtë, plot shije, e thjeshtë në përgatitje por e pasur në vitamina dhe minerale.

Kjo është pjata fantastike që sigurisht zgjon organizmin duke i ofruar atij gjallëri, energji dhe imunitet të fortë.

Kjo supë është një zgjedhje fantastike për të jetuar shëndetshëm dhe për të përjetuar ndjesinë e mirëqenies e cila sigurisht, ashtu si dashuria, së pari vjen nga stomaku.

Kungulleshkat e patatet e pasura me vitamina, brokoli për tretjen e mirë, specat me fuqi antioksiduese, karrotat, qepët shërueset e përjetshme.

Të kombinuara të gjitha së bashku në këtë recetë supe të sugjeruar nga AgroWeb.org, këto perime shndërrohen në një aset të fuqishëm mbrojtës për organizmin duke i dhënë atij energji dhe gjallëri.

Perimet në këtë recetë mund t’i përzgjidhni  apo t’i shtoni sipas preferencës.

Përgatitja e Supës Verore me Perime

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4 persona)

  • Dy karrota (mesatare)
  • Dy patate (mesatare)
  • 2 kungulleshka (mesatare)
  • Disa degëza brokoli
  • Disa degëza lulelakre
  • 1 spec të gjelbër
  • 1 kokër qepë
  • 4 lugë vaj ulliri
  • 1 l lëng pule (mund të përdoret edhe ujë)
  • 1 lugë çaji miell
  • Kripë
  • Majdanoz ose Kopër

Përgatitja

Si fillim, pasi i keni pastruar mirë, AgroWeb.org ju udhëzon të prisni të gjitha perimet në kubikë të vegjël.

Në një tenxhere hidhni vajin e ullirit dhe hidhni qepët të prera hollë me ndihmën e një thike.

I kaurdisim derisa volumi i tyre të bjerë.

Më pas shtojmë të gjitha perimet por jo degëzat e brokolit dhe lulelakrat. Shtoni miellin dhe kaurdisini për disa minuta.

Hidhni kripën dhe lëngun e pulës (ose ujin).

I lëmë të zjejnë të gjitha bashkë derisa perimet të zbuten, 6-7 minuta para se ta hiqni nga zjarri shtoni degëzat e brokolit dhe lulelakrës.

Në fund, sipas dëshirës kur serviret supës i hidhet majdanoz ose kopër./AgroWeb.org

SHARE