Përfaqësuesit e lartë të Delegacionit të Bashkimit Evropian, Austrisë dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara në Mal të Zi nënshkruan një marrëveshje për ndarjen e fondeve për Fondin për Zhvillim të Përshpejtuar të Malit të Zi.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se Mali i Zi ka treguar përkushtimin e tij për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm përmes arritjes së kësaj iniciative dhe mbështetjes për zbatimin e kornizës strategjike të koordinuar nga Qeveria e Malit të Zi dhe Kombet e Bashkuara.
“Ne dërguam një mesazh se Mali i Zi është i fokusuar në zhvillimin në fushat strategjike duke kontribuar në këtë Fond dhe duke ndihmuar vendet e tjera që të bëjnë të njëjtën gjë”, tha Millatoviq.
Kryeministri Dritan Abazoviq theksoi se është jashtëzakonisht i nderuar që kjo ide ka marrë jetë në Mal të Zi.
“Jam mirënjohës për iniciativën që synon të promovojë vlerat e OKB-së, por edhe në përgjithësi të gjenerojë vlera të reja për të gjithë qytetarët e Malit të Zi”, tha Abazoviq.
Ky, siç tha ai, është treguesi më i mirë se një politikë e mirë dhe gjithëpërfshirëse jep rezultate, se Mali i Zi ka miq në të gjithë botën.
Koordinatori rezident i sistemit të OKB-së në Mal të Zi, Peter Lundberg, theksoi se ky Fond bazohet në parimet e vlerave të përbashkëta për përshpejtimin e zhvillimit të Malit të Zi.
“Qëllimi është të arrihen synimet kryesore strategjike të Malit të Zi, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa, theksoi se tani janë në gjendje të japin zgjidhje për reforma të shumta në Mal të Zi.
“Kontributi në këtë Fond është një instrument i ri dhe inovativ për bashkëpunimin tonë. Në parim, ne po krijojmë një instancë përmes së cilës mund t’u ofrojmë akses të gjitha agjencive të OKB-së që veprojnë në Mal të Zi,” tha Popa.
Ambasadori i Austrisë në Mal të Zi Karl Miller tha se marrëveshja që ata nënshkruan sot përfaqëson një mekanizëm të shkëlqyer katalizator inovativ për financimin që përqendrohet në atë që është më e rëndësishme në reformat e ardhshme në Mal të Zi.
“Unë mbështesë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që ai të përparojë me vendosmëri drejt aderimit në Bashkimin Evropian, që është në interes të stabilitetit rajonal. Fondi na ofron mundësinë për t’i arritur këto qëllime përmes mbështetjes për financim të zhvillimit të qëndrueshëm, por edhe përmes përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, theksoi Miller.