BE-ja DO NDËSHKOJË SERBINË, PICULLA: MASA RIGOROZE PO REFUZOI EKSTRADIMIN E RADOIÇIQ

Raportuesi për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Europian, Tonino Piculla e bëri të qartë se BE-ja nuk do të mbyllë njërin sy përballë një vendimi të Serbisë për të refuzuar ekstradimin e Millan Radoiçiqit, personi përgjegjës për organizimin e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në 24 shtator në Banjskë të Zvecanit.

Një lëvizje e tillë, u shpreh ai, mund t`i komplikojë edhe më tej marrëdhëniet edhe ashtu të vështira mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për gazetën serbe “Nova”, eurodeputeti theksoi se reagimet e mundshme të bashkësisë ndërkombëtare mund të rezultojnë në veprime edhe më të rrepta politike dhe diplomatike ndaj Serbisë nëse refuzon të përmbushë kërkesën e bllokut europian që të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit terrorist, të cilët janë arratisur në Serbi.

Në Parlamentin Europian u miratua javën që shkoi një rezolutë përmes të cilës kërkoheshin sanksione ndaj Beogradit zyrtar nëse vërtetohet se Serbia ka gisht në sulmin e Banjskës.

“Në rezolutën e miratuar nga PE-ja, masat kufizuese duhet të përfshijnë, por jo vetëm, ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit ndaj aktorëve destabilizues në veri të Kosovës, si Radojiçiqi, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit të përmendur terrorist”, u shpreh Piculla, i cili dhe ka hartuar tekstin e rezolutës në fjalë.

Ai e pohoi megjithatë se është e vështirë të sigurohet një bashkëpunim i plotë i palës serbe në zgjidhjen e konflikteve, sepse autoritetet në Beograd, siç u shpreh ai, e kanë traditë shkeljen e premtimeve.

SHARE