LIDHJA DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI DEL NGA KOALICIONI I ALEANCËS SHQIPTARE

Lidhja Demokratike në Mal të Zi largohet nga koalicioni i Aleancës Shqiptare pasi ky koalicion u bë pjesë e qeverisë së re.

Siç thuhet në njoftim, kryesia e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi njëzëri ka vendosur që të mos e mbështesë formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi.

“Shprehim keqardhjen dhe indinjatën tonë që partnerët tanë të koalicionit, pa konsultime dhe në mënyrë të njëanshme, përmes bisedave nëpër kafene (duke na ftuar në momentin e fundit për të nënshkruar marrëveshjen) pranuan që të legjitimojnë një qeveri me orientim prorus, antishqiptar dhe antiqytetar. Praktika e krijuar më parë se avokimi formal për një orientim të pretenduar properëndimor i paraprin formimit të qeverisë së dytë, e cila më vonë vazhdon të punojë në axhendën e saj pro-ruse, është e papranueshme për ne dhe e konsiderojmë të dëmshme për shqiptarët në Mal të Zi,” thuhet në njoftimin e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi.

Ata po ashtu deklaruan se si parti kombëtare kanë qenë gjithmonë krah dhe mbështetës të proceseve shtetndërtuese dhe properëndimore, por, siç u shprehën, janë të detyruar të ruajnë identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor në të njëjtën kohë, ashtu siç kanë bërë gjithmonë.

SHARE