Qeveria e Malit të Zi në seancën e sotme miratoi Strategjinë për Rininë për periudhën 2023-2027, me Planin e Veprimit për vitin 2023-2024, me propozim të Ministrit të Sportit dhe Rinisë Vasilije Llallosheviq.
Strategjia e re ofron parime bazë si pikënisje për një pozicion më të mirë të të rinjve në Mal të Zi.
Siç tha ministri Llallosheviq, ky është dokumenti më i rëndësishëm në fushën e rinisë.
“Qëllimet operacionale të kësaj Strategjie janë: zhvillimi i një sistemi shërbimesh dhe programesh të qëndrueshme dhe cilësore për të mbështetur të rinjtë gjatë kalimit në moshën madhore; krijimi i kushteve që të rinjtë të jenë qytetarë aktivë, të përfshirë në krijimin dhe zbatimin e politikave publike; realizimi i kontributit ndërinstitucional në përmirësimin e pozitës së përgjithshme të të rinjve dhe përmirësimin e mekanizmave për krijimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin efektiv të politikave rinore,“ theksoi ministri.
Drejtori i Drejtorisë për Rininë, Martin Lulgjuraj, bëri të ditur se Ministria e Sportit dhe Rinisë do të propozojë formimin e një Trupi Koordinues, detyra e të cilit do të jetë monitorimi i këtij dokumenti strategjik pesëvjeçar dhe në përbërjen e të cilit do të përfshihen përfaqësues të departamenteve të tjera që kanë të bëjnë me çështjet e rinisë.
“Çështja e rinisë nuk është çështje e një departamenti, por edhe e ministrive të tjera. Gjithashtu, mendoj se duhet të kemi një buxhet më të madh në të ardhmen, kur është fjala për këtë departament”, tha Lulgjuraj.