RAMA E FTOI ABAZOVIQIN NË SAMITIN E LIDERËVE NË TIRANË

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ftuar kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë më 16 tetor, njofton Qeveria.

“Mezi pres t’ju mirëpres dhe se do të kemi mundësinë të shikojmë progresin, sfidat dhe perspektivat e integrimit rajonal në Ballkanin Perëndimor në këto kohë sfiduese. Në këtë moment kritik për sigurinë europiane, bindja jonë është se Ballkani Perëndimor duhet të mbështetet dhe të ftohet për të përfituar nga mekanizmat dhe programet europiane që janë kyçe për autonominë strategjike europiane në skenën globale”, thuhet në letrën e Ramës drejtuar Abazoviqit.

Në letër, Rama fton Abazoviqin që atë ditë të hapin bashkërisht Kolegjin Europian në Tiranë, një institucion i lindur nga hiri i Luftës së Dytë Botërore për të krijuar një kuadër të ri europianësh, një pikë referimi të rëndësishme në rrugën europiane të rajonit dhe rektorja e së cilës është ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

SHARE