DISKRIMINON GJUHËN SHQIPE / GOOGLE PADITET NË GJYKATËN E KALIFORNISË

Gjiganti teknologjik Google është paditur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për mospërfshirjen e gjuhës shqipe në gjuhët e mbështetura nga Google.

Ky diskriminim ka pasur pasoja të mëdha në media, marketing, investime të huaja, zhvillim ekonomik dhe teknologjik në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që flitet gjuha shqipe, thuhet në padi.

Padia është ngritur nga shqiptaro-amerikani, Haki Dervishi dhe Neshad Asllani – mjek shqiptar nga Kosova.

Paditësit besojnë se diskriminimi i vazhdueshëm i gjuhës shqipe nga Google ka bërë që folësit e gjuhës shqipe të diskriminohen nga pjesa tjetër e Europës dhe botës në zhvillimin e biznesit, në marketing dhe gazetari, pasi janë të përjashtuar nga platformat Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob.

Në hartën e gjuhëve që mbështeten, Google ka përfshirë të gjitha vendet e Europës, me përjashtim të vendeve ku shqipja është gjuhë zyrtare.

Përmes padisë, dy kallëzuesit shqiptaro-amerikanë kërkojnë të detyrojnë kompaninë amerikane që të korrigjojë këtë anomali dhe të përfshijë edhe shqipen në gjuhët e suportuara.

SHARE