Bombardimet e ashpra izraelite nuk reshtën as në nisje të ditës së 6, pas sulmit të Hamasit.
Këtë herë, raketat izraelite u përqendruan në zonat ku mendohet se janë tunelet ku Hamasi fsheh arsenalin e predhave që vazhdon të hedhë drejt jugut të Izraelit.
Në Rripin e Gazës tashmë mbretëron rrënimi.
Më mijëra banesa janë shkatërruar nga sulmet ajrore hakmarrëse të ushtrisë izraelite.
Situata ka detyruar 338 mijë banorë të zhvendosen në zona të tjera të territorit jugperëndimor palestinez ose të ikin në Egjipt.
Rrethimi i Gazës vijon i ashpër dhe banorët janë në prag të një krize të egër humanitare, pasi nuk po furnizohen me ushqime, ujë të pijshëm, energji elektrike e karburant.
Ministri izraelit i energjisë Izrael Kac tha se bllokada e ashpër do të vijojë deri kur të lirohen 150 pengjet, që militantët e Hamasit morën të shtunën kur hynë në jug të Izraelit.
Ndihmat e para, civilëve në Gaza po u vijnë nga Jordania.
Ushtria izraelite vijon të jetë në pritje të urdhrit për të nisur sulmin tokësor. Dhjetëra mijëra ushtarë dhe makineri të rënda ushtarake vijojnë të mbajë të blinduar kufirin me Rripin e Gazës.
Në mbledhjen e parë të qeverisë së luftës ku bën pjesë edhe opozita, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu premtoi se do të zhdukë nga faqja e dheut militantët e Hamasit.
Është rritur në 1.417 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e Izraelit ndaj Gazës, e cila është nën bllokadë.
Në një deklaratë me shkrim të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë janë dhënë informacione për të vrarë dhe të plagosur në rajon.
Në deklaratë thuhet se 1.417 palestinezë, përfshirë 248 gra dhe 447 fëmijë, humbën jetën ndërsa 6.268 të tjerë, përfshirë 932 gra dhe 1.531 fëmijë, u plagosën në sulmet e Izraelit në Gaza që nga 7 tetori.