LAJÇAK: RAJONI I BALLKANIT PERËNDIMOR S’PO DUKET ASPAK MIRË

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha të premten se rajoni i Ballkanit Perëndimor “nuk po duket aspak mirë dhe të gjithë kanë frikë se mund të ringjallen fantazmat e së kaluarës”.

Duke folur në Forumin 2BS në Budva, Lajçak theksoi se situata mes Serbisë dhe Kosovës është përkeqësuar pas konfliktit në veri të Kosovës më 24 shtator dhe se kjo është “sfidë për të gjithë rajonin dhe jo vetëm për këto dy vende.”

“Fatkeqësisht, pas asaj ngjarjeje situata është e tmerrshme. Tani më e rëndësishmja është vërtetimi i fakteve dhe nxjerrja e konkluzioneve dhe pasojave. Nga njëra anë, duhet të punohet për normalizim dhe dialog, por nga ana tjetër kemi përshkallëzim”, tha Lajçak.

Lajçak tha se ngjarja e 24 shtatorit nuk ishte aksidentale, por një çështje e rëndë dhe e qëllimshme e cila duhet të hetohet tërësisht.

I pyetur se çfarë mund të ndryshohet, Lajçak theksoi se në rrethanat aktuale nuk është e drejtë që Kosova të jetë nën masa negative të BE-së dhe se një nga mundësitë ka të bëjë me sanksionet (ndaj Serbisë), të cilat ai do t’i mbështeste.

Duke i komentuar akuzat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ai ia mban anën Serbisë në dialog, Lajçak tha se “kur dikujt nuk i pëlqen një mesazh, atëherë e sulmon atë që e ka sjell mesazhin”.

“Dialogu vazhdon që nga viti 2011. Në ndërkohë, kanë ndryshuar qeveritë në Kosovë dhe Serbi, kanë ndryshuar edhe strukturat evropiane. Por, dialogu është e vetmja rrugë. Nuk ka të ardhme evropiane pa marrëdhënie të mira mes Kosovës dhe Serbisë, dhe atje nuk ka normalizim pa dialog”, shtoi ai.

Kjo, theksoi ai, është sfidë për të gjithë rajonin dhe jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën.

SHARE