KUVENDI I KOSOVËS MIRATON REZOLUTË QË DËNON SULMIN NË VERI

Me propozimin e grupeve parlamentare, deputetët e Kuvendit të Kosovës në mënyrë unanime kanë miratuar një rezolutë që dënon sulmin e 24 shtatorit ndaj sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Kosovës.

Në këtë rezolutë konstatohet ndër tjerash “nevoja për hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë lidhur me organizimin aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë”.

Kryetarë të partive parlamentare dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës paraprakisht mbajtën fjalime lidhur me sigurinë e vendit pas ballafaqimit të armatosur të Policisë së Kosovës me një grup të armatosur rëndë prej më shumë se 30 personash në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “nëse Serbia kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin”.

Ai theksoi se terroristët që morën jetën e policit Afrim Bunjaku ose janë vrarë, ose janë arrestuar, ose janë në ndjekje pasi që janë në ikje dhe të cilët sipas tij “duhet të ekstradohen, duhet të dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës”.

“Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar atëherë ajo do ta përsërisë krimin. Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që i kishin profesionistët serbë, të cilët sulmuan në Banjskë të Zveçanit të dielën janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë”, tha Kurti.

SHARE