Si të Thani Fiqtë Vetë në Kushtet e Shtëpisë

Fiqtë, janë ndër frutat më të dobishme për shëndetin e organizmit të njeriut.

Ato janë të pasur me hekur, kalçium dhe kalium, tre minerale thelbësore për organizmin.

Për më tepër, fiqtë kanë më shumë fibër se shumica e frutave dhe perimeve.

Tharja e tyre mundëson ruajtjen afatgjatë të shijes së tyre të ëmbël dhe vlerave të jashtëzakonshme.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni në detaje mënyrën dhe teknikat e tharjes së fiqve në kushtet e shtëpisë.

Tharja E Fiqve Në Diell

Fiqtë duhen shpëlarë me ujë të bollshëm e të ftohtë dhe më pas të thahen me kujdes me letër kuzhine.

Më pas ato duhen prerë në gjysmë, sepse në këtë mënyrë mund të thahen më shpejt.

Pasi i keni prerë në dysh, fiqtë duhet t’i vendosni në një zgarë druri ose metalike të mbështjellë me një napë të hollë dhe të pastër.

Zgara duhet vendosur në një vend të atillë që të mundësojë qarkullimin e pandërprerë të ajrit nga poshtë dhe lart.

AgroWeb.org këshillon t’i mbuloni me një napë tjetër të pastër e të hollë që të parandaloni insektet.

Zgara e drunjtë ose metalike duhet vendosur në ambient të jashtëm e të ndriçuar mirë nga dielli për gjatë gjithë ditës.

Fiqtë nuk duhen mbajtur në hije sepse do të prishen.

Në mbrëmje, zgarën mund ta fusni brenda që të parandaloni dëmin e vesës.

Për tre ditë me rradhë, fiqtë duhet t’i nxirrni në diell që në mëngjes që të thahen në mënyrë të njëtrajtshme, rekomandon AgroWeb.org.

Ato konsiderohen të tharë në momentin që lëkura e jashtme forcohet dhe tuli nuk nxjerr asnjë lëng pas shtrydhjes me gishta.

Fiqtë e tharë duhen mbajtur në qese të mbyllura ose në enë qelqi të mbuluara mirë me kapak.

Ato mund t’i mbani në frigorifer për disa muaj ose në ngrirje për deri në 3 vjet./AgroWeb.org

SHARE