Në Shqipëri ka filluar zyrtarisht “Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023”, që realizohet nën organizimin e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT),.
Për censin do të angazhohen në terren gjithsej 5.240 anketues në të gjithë vendin dhe puna në terren do të zgjasë gjashtë javë.
Burimet zyrtare nga INSTAT kanë bërë të ditur për Anadolu se censi ka filluar zyrtarisht sot, ndërkohë në qershor 2024 do të prezantohen rezultatet përfundimtare të censit në nivel kombëtar.
Sipas INSTAT-it, Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të Bashkimit Evropian (BE) për zbatimin censit të popullsisë dhe banesave.
Sipas autoriteteve shqiptare, censi do të ofrojë të dhëna mbi popullsinë rezidente në Shqipëri, karakteristikat demografike, sociale dhe ekonomike, të dhëna të nevojshme për të vlerësuar dinamikat e popullsisë, si dhe ndryshimet demografike të popullsisë, si dhe të dhëna për karakteristikat e banesave.
Censi 2023 është censi i 12-të në historinë e Shqipërisë, ku i pari është zhvilluar në vitin 1923 dhe i fundit në vitin 2011.