BE: KOSOVA PO PENGON NORMALIZIMIN E MARRËDHËNIEVE, DASH I ZHGËNJYER

Dështimi i takimit të një dite më parë në Bruksel mes Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, po i faturohet Kosovës.

Bashkimi Europian doli hapur me akuzat se Prishtina është duke penguar normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Nuk ka qenë e mundur të kapërceheshin diferencat. Kurti nuk është i gatshëm t’u japë më shumë autonomi dhe të krijojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, edhe pse për këtë Kosova ka rënë në ujdi në dialogun 10 vjeçar me Serbinë të mbështetur nga BE”, tha Josep Borell.

Kurti kishte këmbëngulur në Bruksel, se para dhënies së autonomisë për komunat serbe në Kosovë, Serbia duhet të njohë Kosovën. I ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme i ka propozuar atij dhe Vuçiçit që të zhvillojnë paralelisht planet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe njohjen e Kosovës. Konkretisht propozimi i Borrell ishte që një kohë që fillon ngritja e Asociacionit të rënë në ujdi prej kohësh, nga ana e Serbisë do të fillonin hapat për njohjen e Kosovës. Por ndërsa presidenti serb e pranoi propozimin, Kurti ka këmbëngulur në njohjen e Kosovës si hap të pare. Borrell i paralajmëroi të dyja palët për stanjacionin, duke i treguar se ai do të pengojë anëtarësimin e dëshiruar në BE.

 “Pa normalizim as për Kosovën dhe as për Serbinë nuk do të ketë një të ardhme europiane”, tha Borell.

Departamenti amerikan i Shtetit, shprehu po ashtu zhgënjim për mungesën e përparimit në raundin e ri të dialogut. “Presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre për Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që u arrit  më herët këtë vit. Koha po kalon. Duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha një zëdhënës i DASH i cili shtoi se “ po konsultohen me partnerët evropianë për hapat e ardhshëm”.

SHARE