VON DER LEYEN: E ARDHMJA E BALLKANIT PERËNDIMOR DHE UKRAINËS ËSHTË NË BE

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, tha më 13 shtator se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe e Ukrainës është në Bashkimin Evropian (BE).

Gjatë një fjalimi vjetor për gjendjen e BE-së para deputetëve të Parlamentit Evropian në Strasburg, Von der Leyen tha se unioni “nuk mund t’i lërë vetëm bashkëkombësit tanë”.

“E ardhmja e Ukrainës është në unionin tonë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. E ardhmja e Moldavisë është në BE. Dhe, e di se sa e rëndësishme është perspektiva evropiane edhe për shumë njerëz në Gjeorgji”, deklaroi Von der Leyen.

Von der Leyen tha se “Evropa përgjigjet ndaj thirrjeve historike. Historia na fton që të përmbyllim ndërtimin e unionit tonë. Në botën ku disa tentojnë t’i nënshtrojnë vendet një nga një, ne nuk mund t’i lëmë vetëm bashkëkombësit tanë evropianë. Në botën ku madhësia dhe pesha janë të rëndësishme, përmbyllja e unionit tonë, pa dyshim, është interes strategjikë i BE-së”.

Ajo e përmendi rajonin e Ballkanit edhe kur foli për bashkëpunimin në menaxhimin e migrimit ilegal.

“Pakti për migrim i BE-së ka siguruar një baraspeshë mes të drejtave të njeriut dhe ruajtjes së kufijve, mes sovranitetit dhe solidaritetit, mes sigurisë dhe njerëzisë. Kemi bashkëpunuar ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimorë dhe kemi zvogëluar valët ilegale të migrimit”, theksoi ajo.

SHARE