Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel më 14 shtator, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Në një deklaratë nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, thuhet se takimi i ardhshëm i Dialogut Prishtinë-Beograd do të mbahet më 14 shtator, ditë e enjte.
Në deklaratë theksohet se Borrell do të shkëmbejë mendime me Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak përpara takimit të tij me dy liderët.
Liderët janë takuar për herë të fundit në Bruksel më 22 qershor, me ftesë të BE-së, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.