KUVENDI I SHQIPËRISË MIRATON NDRYSHIMET NË KABINETIN QEVERITAR

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar të Shqipërisë, të cilat u propozuan disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama.

Në seancën e sotme parlamentare janë votuar dekretet e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në lidhje me ndryshimet në Qeverinë e Shqipërisë.

Në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme është emëruar Igli Hasani, i cili ka zëvendësuar ministren e deritanishme Olta Xhaçka. Hasani ka mbajtur më parë postin e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në misionin e OSBE-së në Vjenë si dhe ka shërbyer si Koordinator Ekonomiko-Ambiental i OSBE-së.

Albana Koçiu është emëruar në postin e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke zëvendësuar Ogerta Manastirliun, e cila është emëruar në postin e ministres së Arsimit dhe Sportit.

Në postin e ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është emëruar Anila Denaj, e cila ka zëvendësuar në këtë post ministren e deritanishme Frida Krifca.

Si ministër i shtetit për Pushtetin Vendor është emëruar Arbjan Mazniku, i cili më parë ka mbajtur postin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Kuvendi ka shkarkuar nga detyra ministren e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi, ndërkohë ky post ministror nuk do të jetë më pjesë e qeverisë.

Gjatë seancës, është miratuar edhe vendimi për lirimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë Ervin Mete, i cili është propozuar për postin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, dekret që pritet të miratohet në vazhdim.

Kujtojmë se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, prezantoi më 4 shtator ndryshimet në kabinetin qeveritar të Shqipërisë, ndërkohë pas ceremonisë së betimit në Presidencën e Shqipërisë ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën.

SHARE