Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) ranë dakord për të nënshkruar marrëveshjen që lejon Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) të vendoset në Shqipëri.
Këshilli i BE-së njoftoi në një deklaratë se vendet e BE-së “miratuan një vendim për të nënshkruar një marrëveshje me Shqipërinë për aktivitetet operacionale të kryera nga Frontex”.
“Frontex do të jetë në gjendje të ndihmojë Shqipërinë në menaxhimin e flukseve migratore, luftimin e imigracionit të paligjshëm dhe trajtimin e krimit ndërkufitar”, thuhet në njoftim.
Marrëveshja do të lejojë operacione të përbashkëta me organet ligjzbatuese shqiptare dhe vendosjen e ekipeve të menaxhimit të kufirit Frontex në Shqipëri.
Blloku nënshkroi marrëveshje të ngjashme me Malin e Zi në fillim të vitit, e cila hyri në fuqi më 1 korrik.
Vendimi vjen mes shqetësimeve në rritje rreth presionit migrator.
Të martën, Agjencia e BE-së për Azilin njoftoi se numri i kërkesave për azil u rrit me 28 për qind duke arritur në 519 mijë dosje në gjashtë muajt e parë të vitit në krahasim me gjysmën e parë të 2022, duke shkaktuar një ngecje të konsiderueshme.