Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka përfunduar hartimin e Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, i cili theksoi se udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.
Udhëzimi i cili u hartua në kuadër të hapave të Qeverisë për shtensionimin e situatës në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë, u bë pas diskutimeve, punës dhe konsultimeve profesionale të grupit punues me pjesëtarë nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.
Ministri Krasniqi theksoi se për këtë çështje ka pasur shumë komente dhe sugjerime dhe të gjitha janë trajtuar dhe pjesa më përmbajtjesore janë adresuar.
“Ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejtë të garantuar nga ligji për vetëqeverisje lokale. E drejtë kjo që siguron ushtrimin e vullnetit qytetar në raport me Kryetarin e Komunës, të cilin e zgjedhin drejtpërdrejtë vetë qytetarët”, theksoi Krasniqi.