RAIÇEVIQ DHE GJELOSHAJ KËRKOJNË NJË VLERËSIM TË KUSHTETUTSHMËRISË SË LIGJIT PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT

Kryetari i komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviq dhe kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese propozim për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit.

“Propozimi kërkon një interpretim nëse nenet e këtij ligji janë në përputhje me Kushtetutën e Malit të Zi, mbi të gjitha me parimet që kanë të bëjnë me liritë e qytetarëve, të drejtat dhe detyrat e përfaqësuesve të zgjedhur dhe papajtueshmërinë e qartë të funksioneve në rastet të njohura me Kushtetutë, kur bëhet fjalë për papajtueshmërinë e funksioneve të kryetarit të Komunës dhe deputetëve të Kuvendit”, thuhet në njoftim.

Siç sqarojnë ata, thelbi i propozimit është dyshimi se ligji nuk është i harmonizuar me dispozitat themelore të Kushtetutës.

“Kushtetuta e përcakton qartë se qytetari është bartës i sovranitetit të shtetit dhe se çdo qeveri formohet në bazë të vullnetit elektoral. Gjithashtu, parashikohet që deputet në Kuvendin e Malit të Zi, në të cilin përfaqëson vullnetin e shprehur elektoral të qytetarëve, në zgjedhje të drejtpërdrejta dhe të fshehta, mund të zgjidhet çdo shtetas i moshës madhore që banon në Mal të Zi”, thuhet në njoftim.

Siç thonë ata, deputeti është i detyruar të kryejë funksionin e tij dhe të përfaqësojë vullnetin e qytetarëve, profesionalisht ose vullnetarisht, pa kompensim, sipas vendimit të tij.

“Në anën tjetër, pozita e kryetarit të komunës është pozitë profesionale për të cilën një person zgjidhet nga këshilltarët në Kuvendin e Komunës, e jo drejtpërdrejt në zgjedhje, si një lloj menaxheri i administratës lokale, person i cili duhet të kryejë detyrën e kryetarit në mënyrë profesionale, si punonjës në këtë pozitë. Deri në vitin 2015 një interpretim i tillë nuk ka ekzistuar dhe as kryetari i komunës nuk është penguar në kryerjen e detyrës së deputetit”, thuhet në njoftim.

Prandaj, siç shtojnë ata, Kushtetuta si akti më i lartë juridik, por edhe Ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, i cili rregullon fushën në fjalë, nuk e njeh qartë funksionin e kryetarit të Komunës si të papajtueshëm me funksionin e deputetit të Kuvendit të Malit të Zi.

“Një interpretim i tillë mund të konsiderohet, së paku, i pasaktë dhe i paqartë, por edhe diçka që cenon drejtpërdrejt të drejtën e votës si të deputetëve të zgjedhur ashtu edhe të qytetarëve që votuan, cenon parimet e Kushtetutës së Malit të Zi dhe themelet e sovranitetit, i cili qëndron në vullnetin e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Dispozita të tilla të ligjit, siç vlerësojnë ata, mund të shkaktojnë vetëm dëme dhe pasoja të pariparueshme si për personat që mbajnë këto poste, ashtu edhe për qytetarët, administratën vendore, por edhe për të gjithë parimin e demokracisë dhe kushtetutshmërisë dhe është e një rëndësie të veçantë që Gjykata Kushtetuese të thërrasë sa më parë një seancë ku do të vendosë për kushtetutshmërinë e këtyre dispozitave dhe në të cilën do të ftojë edhe propozuesit që të mund t’i shpjegojë të gjitha këto.  

“Një propozim i tillë sigurisht që do të kontribuojë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në sigurinë juridike të qytetarëve të cilët duhet të dinë qartë se çfarë të presin nga ligji, por edhe në përmirësimin e përgjithshëm të sistemit juridik, i cili deri më tani nuk është marrë me detajet e këtij ligji, i cili mund të jetë jashtëzakonisht i dëmshëm ose i dobishëm për ruajtjen e sistemit juridik dhe parimeve të demokracisë në Mal të Zi”, thuhet në njoftim.

SHARE