OSMANI: KOMBI SHQIPTAR KA QENË DHE VAZHDON TË MBETET FAKTOR STABILITETI NË RAJON

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, ndërkohë është pritur me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbështet fuqishëm aspiratat e Kosovës për integrim euroatlantik dhe shtoi se Shqipëria është proaktive për institucionalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n.

Begaj tha se lidhur me bashkëpunimin ndërshtetëror, vëmendja kryesore u përqendrua në forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik në të gjitha aspektet, duke shtuar se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë shumë të mira.

Ai theksoi se dialogu Kosovë-Serbi i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur sipas tij fuqishëm nga SHBA-ja është rruga e vetme drejt paqes e normalizimit të marrëdhënieve, si dhe të anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në.

Begaj u shpreh se në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon dhe vende kontribuuese të rëndësishme për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm.

Duke folur për situatën dhe tensionet e fundit në veri të Kosovës, Begaj tha se: “Vlerësova se pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës si dhe ndërhyrjeve hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet një koordinim më i ngushtë dhe më i mirë me parterët tanë kryesorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkimin Evropian”.

Begaj shtoi se askush nuk mund të vërë në pikëpyetje, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe të drejtën e saj për të zbatuar ligjet dhe kushtetutën e vendit. P

residentja Osmani theksoi se kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme.

Ajo tha se me presidentin Begaj diskutuan për të arriturat dhe sukseset e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, por edhe për sfidat që sipas saj, sfida të cilat duhet t’i tejkalojnë së bashku.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike historike, kulturore e kombëtare që e bën bashkëpunimin tonë dhe lidhjet tona të forta dhe të pathyeshme. Përballë sfidave ne qëndrojmë të bashkuar duke u fokusuar në një qëllim: stabiliteti, prosperiteti dhe integrimi euroatlantik i vendeve tona. Kombi shqiptar gjithnjë ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon dhe me orientim të qartë euro-atlantik”, u shpreh Osmani.

Ajo theksoi se synim shtetëror dhe strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Osmani thekoi se janë të vendosur për të kontribuar në funksion të paqes dhe stabilitetit dhe të mbrojnë së bashku vlerat të cilat sipas saj “po rrezikohen dhe atakohen nga Rusia dhe satelitet e saj në rajon”.

Presidentja e Kosovës është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama dhe me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, si dhe do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete.

SHARE