Shkollat në Mal të Zi duhet të marrin asistentë për parandalimin e dhunës deri në fund të gjysmës së parë të vitit, tha sekretarja shtetërore në Ministrinë e Arsimit Milijana Vukotiq Jellushiq.
Ajo tha se tani për tani nuk po punohet që shkollat të kenë roje, por në trajnimin e asistentëve për parandalimin e dhunës.
“Në fillim të shtatorit do të shpallet konkursi nga Akademia e Policisë, do të trajnojmë njerëz që do të punojnë intensivisht me nxënësit brenda sistemit shkollor dhe do të parandalojnë çdo dukuri negative”, tha Vukotiq Jellushiq.
Ajo shtoi se plani është që të gjitha shkollat të kenë një asistent të tillë dhe se trajnimi zgjat një muaj.
Vukoviq Jellushiq, duke iu përgjigjur pyetjes se a ka mundësi të ketë probleme me ngrohje në vitin e ardhshëm shkollor, tha se ka energji të mjaftueshme dhe se kontratat janë të vlefshme deri në mesin e janarit të vitit të ardhshëm.
“Ne tashmë kemi hapur thirrje për furnitorë të rinj, nga ky këndvështrim nuk shoh se kjo mund të jetë problem në këtë vit shkollor”, tha Vukoviq Jellushiq.
Ajo tha se pothuajse të gjitha shkollat do të fillojnë mësimin e rregullt të hënën.
Për shkak të rikonstruksionit, katër shkolla do të fillojnë mësimin online të hënën, ndërsa një institucion shfrytëzoi mundësinë për të shtyrë me pesë ditë fillimin e vitit shkollor.