Rritja e numrit të rasteve të dhënies së shtetësisë së Republikës së Serbisë me procedurë të shpejtuar për qytetarë nga Rusia, ka nxitur shqetësim në Bashkimin Evropian.
Në BE kjo shihet edhe si rrezik në aspektin e sigurisë pasi qytetarët që kanë pasaporta të Serbisë mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian, ka rikujtuar se Serbia, sikurse edhe vendet tjera të rajonit, duhet ta përshtasë politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian.
“Komisioni Evropian është në dijeni për numrin e madh të shtetasve të Rusisë që janë vendosur në Serbi pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Si nga cdo vend tjetër kandidat, edhe nga Serbia pritet që në mënyrë progresive të përshtatet me politikat dhe vendimet e Bashkimit Evropian. Komisioni është duke monitoruar me kujdes situatën dhe duke shkëmbyer informatat me autoritetet e Serbisë lidhur me praninë e shtetasve të Rusisë në Serbi”, tha zëdhënësi.
BE vazhdimisht ka kërkuar nga Serbia që të marrë parasysh shqetësimet e Brukselit dhe vendeve anëtare për rrezikun potencial që mund të krijojë prania e shtetasve të Rusisë në Serbi, e sidomos nëse ata do të pajisen me dokumente që iu mundësojnë udhëtim të papenguar në vendet e Bashkimit Evropian.
“Sipas propozimit për ligjin e ri për shtetësinë, në Serbi do të thjeshtohej procedura për dhënien e shtetësisë pas një qëndrimi të shkurtër kohor. Përmes procedurës së thjeshtësuar, qytetarët e vendeve të treta, të cilët në rrethana tjera do të kishin nevojë për vizë për të udhëtuar në BE, do të kenë mundësi të lëvizjes së lirë”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian thotë se do t’i vazhdojë kontaktet me autoritetet e Serbisë lidhur me këtë çështje.