Ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melanie Joly, ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me homologen e saj Olta Xhaçka, në selinë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Pas takimit, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Xhaçka, dhe ministrja kanadeze Joly mbajtën një deklaratë të përbashkët, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, luftën Rusi-Ukrainë, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe çështje të tjera.
Ministrja Xhaçka theksoi se me homologen e saj ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me interes të përbashkët dhe mundësitë për të rritur praninë kanadeze dhe investimet kanadeze në Shqipëri.
“Vitin e kaluar ne festuam 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve. Sot konstatuam me kënaqësi se marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kanadasë kanë njohur rritje të vazhdueshme dhe karakterizohen nga një frymë e konsoliduar e miqësisë dhe bashkëpunimit konstruktiv, bazuar në vlerat demokratike që ndajnë të dy vendet”, tha Xhaçka.
Ministrja Xhaçka thekoi se roli dhe kontributi i Kanadasë në arenën ndërkombëtare është rritur dukshëm.
Ministrja Joly tha se vizita e saj në Shqipëri është një mundësi shumë e madhe për të rritur bashkëpunimin dhe theksoi se marrëdhënia ndërmjet Kanadasë dhe Shqipërisë është e fortë dhe mbështetet tek respekti dhe partneriteti.
Joly u shpreh se do të fillojnë negocimin për një marrëveshje për mbrojtjen e investimeve, që sipas saj është e rëndësishme për bizneset kanadeze që duan të investojnë në Shqipëri dhe gjithashtu për bizneset në Shqipëri që të kenë mundësi të punojnë me investitorë kanadezë.
“Unë besoj dhe Kanadaja beson që e ardhmja e Shqipërisë është në BE dhe Shqipëria është në rrugën e drejtë”, tha ministrja Joly.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, vizita e ministres Melanie Joly në Shqipëri dëshmon për intensifikimin e shkëmbimeve dhe dialogut politik të nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve.