Zemra e Gruas Dëmtohet nga Ushqyerja e Vonë

Të dhënat e EUROSTAT, cituar nga revista Monitor, tregojnë se Shqipëria mban vendin e dytë në Evropë sa i përket vdekjeve nga goditjet e zemrës.

Të dhënat thonë se në vendin tonë regjistrohen mbi 5,000 vdekje në vit nga goditjet në zemër.

Numri më i lartë i vdekjeve regjistrohet në qytete si: Korça, Berati, Gjirokastra, Shkodra dhe Vlora.

Sa i përket prevalencës së këtyre sëmundjeve mes dy gjinive vërehet se ajo është e barabartë si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt.

Grafiku sipas revistës Monitor

Ekspertët fajësojnë ushqyerjen e keqe, mungesën e aktivitetit fizik dhe duhanin.

Zemra e Gruas Dëmtohet Nga Ushqyerja E Vonë

Një studim të cilit i referohet AgroWeb.org shpjegon se ushqyerja e vonë nuk i bën mirë zemrës së një gruaje.

Ekspertët e Universitetit të Columbias në Neë York kanë zbuluar se gratë që konsumojnë pjesën më të madhe të kalorive në mbrëmje janë ndjeshëm më të rrezikuara nga sëmundjet e zemrës.

Kardiologët shpjegojnë se metabolizmi dhe ritmi i brendshëm nuk mund të përballojnë ushqimet e rënda në orët e vona të mbrëmjes.

Sipas tyre, gratë që konsumojnë pjesën më të madhe të ushqimeve pas orës 18:00 kanë një shëndet më të dobët.

Në qoftë se një grua merr qoftë edhe 1 përqind më shumë kalori në mbrëmje, shëndeti i zemrës së saj është më i dobët.

Për më tepër, kjo 1 përqind më shumë kalori, nxit tensionin e lartë të gjakut, rrit indeksin e masës trupore dhe përkeqëson nivelet e sheqerit në gjak.

Ushqimet Më Të Përshtatshme Për Në Mbrëmje

Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që në mbrëmje gratë të frenohen nga dëshira për ushqime të rënda.

Ato mund të konsumojnë fruta pylli, kos, banana, kivi, vezë të ziera.

Këto ushqime jo vetëm ofrojnë vitamina dhe minerale por edhe treten më lehtë dhe nuk shkaktojnë një barrë të rëndë në metabolizëm.

Shumë prej tyre promovojnë edhe qetësimin e mendjes dhe trupit dhe nxisin gjumin e qetë dhe të patrazuar./AgroWeb.org

SHARE