OSMANI: PEZULLIMI I VENDIMIT PËR VIZA E VRET DIALOGUN

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se tërheqja e vendimit për liberalizimin e vizave për kosovarët nga vitit 2024 do të ishte mënyra më efektive për ta vrarë dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel.

Duke folur për paralajmërimet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron se një gjë e tillë mund të ndodhë në rast se Kosova dhe Serbia nuk sillen me përgjegjësi, Osmani tha se Kosova “i ka plotësuar dhe stërplotësuar kriteret” për liberalizimin e vizave dhe ky është një proces të cilin Kosova e ka merituar dhe “nuk na është dhënë dhuratë”.

Lidhur me mundësinë e tërheqjes së vendimit të liberalizimit të vizave, presidentja Osmani tha se “kjo do të ishte mënyra më efektive për ta vrarë dialogun njëherë e përgjithmonë”.

“Në qoftë se dëshiron dikush që mos të ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë masa ndëshkuese ndaj ndonjë lideri apo ndaj ndonjë politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe, një ndëshkim i tillë i paprecedentë i cili edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe në raport me popullin e Kosovës besoj se do të rezultojë me vdekjen e dialogut”, theksoi Osmani.

Presidentja e Kosovës tha se nëse një gjë e tillë do të ndodhte askush nuk do të kishte më mandat në Republikën e Kosovës që të vijojë të shkojë në Bruksel kur populli Kosovës ndëshkohet në atë mënyrë “kështu që, unë besoj se as që nuk do të vijë deri tek ajo punë”.

SHARE