Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryeministri i Kosovë, Albin Kurti ka thënë se pesha e mungesës rëndon mbi familjet e 1617 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Kurti u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime.
“Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje të mërkurën që vendit të saj të mos i bëhet më trysni në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të vazhdojë “të flejë mbi varrezat masive” të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.
Duke folur pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit më 30 gusht në Prishtinë, Osmani tha se Serbia po vazhdon ta përsërisë krimin e saj duke e fshehur vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
“Shpresojmë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë më një proces përmes të cilit Kosovës do t’i bëhet trysni dhe popullit të Kosovës padrejtësi, ndërkaq fytyra e Vuçiqit, një njeriu që ende fle mbi varreza masive, do të vazhdojë të shpërlahet padrejtësisht”, tha Osmani.