Papa Françesku njoftoi se do të nxjerrë një udhëzues të ri për mbrojtjen e natyrës, teksa tha se po e bën këtë sepse po zhvillohet një “luftë e tmerrshme globale” kundër mjedisit.
Duke folur nga Vatikani, Papa tha se dokumenti do të lëshohet më 4 tetor, ditën e festës së Shën Françeskut të Asizit, shenjt mbrojtës i mjedisit.
Do të jetë një vazhdim i enciklikës së tij me ndikim papnor në 2015, e cila foli për nevojën për të mbrojtur mjedisin nga rreziqet dhe sfidat e ndryshimeve klimatike dhe për të reduktuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile.
Papa ka thënë se dokumenti i ri do të jetë një “përditësim” i “Laudado Si” të vitit 2015 me çështje aktuale.
Duke e përshkruar natyrën si një “dhuratë të shenjtë nga Krijuesi”, Papa u bëri thirrje njerëzve të marrin anën e “viktimave të padrejtësisë mjedisore dhe klimatike”. Ai bëri thirrje për t’i dhënë fund “luftës së pakuptimtë kundër shtëpisë sonë të përbashkët, që është një luftë e tmerrshme botërore”.
Në tetë vitet që nga botimi i “Laudado Si”, komuniteti global ka parë një rritje të ngjarjeve ekstreme të motit: valë të nxehtit më intensive dhe të zgjatura, zjarre pyjore më të shpeshta, uragane më të forta.
Papa Françesku tha muajin e kaluar se këto fenomene tregojnë se nevojiten veprime më urgjente për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe u bëri thirrje liderëve botërorë të “bëjnë diçka më të prekshme për të kufizuar emetimet ndotëse”.