Fërgesë me Gjizë dhe Speca Gogozhare

Me aromën e tyre fantastike, specat turshi lezetosin shijen e çdo gatimi në tryezat shqiptare.

Speca të kuq, të pjekur e të marinuar me uthull, limon, hudhër dhe vaj. Me siguri, ju shkon goja lëng kur i lexoni këto fjalë që përshkruajnë shkurtimisht një nga turshitë më të preferuara të shqiptarëve.

Janë ndër turshitë më të shijshme, të pasura me shumë vlera shëndetsore. Fantastike në shoqërimin e çdo lloj gatimi, nga pjatat e lehta të supave e gjellëve të ndryshme tek byrekët, tavat e shijshme shqiptare apo mishrat e ndryshëm.

Janë turshitë që lezetosin me aromën e tyre fantastike çdo tryezë shqiptare e që pasurojnë menunë e çdo restoranti që në larminë e gatimeve të tij ka shijen fantastike të traditës shqiptare.

Specat turshi mund t’i përdorni edhe për përgatitjen e një fërgese mjaft të shijshme me hudhër e rikota ose gjizë.

Fërgesë Me Gjizë Dhe Speca Turshi

Për përgatitjen e kësaj fërgese ju nevojiten

  • 400 gramë gjizë
  • 3 thelpinj hudhër
  • 1 kavanoz me speca turshi
  • Kripë dhe vaj sipas nevojës
  • 2 domate të prera në copa ose 5-6 lugë gjelle salcë domatesh.
  • Majdanoz
  • Spec djegës

Përgatitja:

Ndajeni hudhrën në thelbinj dhe më pas prisni hollë disa prej tyre.

Vendoseni një tigan të thellë në zjarr, hidhni pak vaj dhe më pas hidhni specat dhe hudhrën.

Lërini të skuqen mirë dhe më pas shtoni gjizën.

Nëse kjo e fundit është pa kripë, shtoni pak sipas dëshirës.

AgroWeb.org ju sugjeron që për një shije sa më të mirë dhe recetë më të shëndetshme përdorni domate të prera.

Nëse i doni në formën e salcës, mjafton t’i grini në rende.

Pasi të keni hedhur domatet lëreni masën që të ziejë dhe të avullojë ujin e tepërt.

Në fërgesë mund të shtoni edhe thelpinjtë e mbetur të hudhrës, nëse jeni dashamirës të shijes pikante të saj.

Servireni fërgesën të ngrohtë duke e spërkatur me majdanoz dhe spec djegës./AgroWeb.org

SHARE