FRANCA NDALON VESHJEN ISLAMIKE, SHKEL LIGJIN LAIK

Veshja e fustaneve abaja nga disa vajza myslimane në shkollat franceze është “sulm politik”, tha të hënën zëdhënësi i Qeverisë së Francës, Olivier Veran, ndërsa shpjegoi ndalimin e kësaj veshjeje.

Ministri i Arsimit i Francës, Gabriel Attal, tha të dielën se fustanet e gjata dhe të lirshme, me origjinë nga Lindja e Mesme, nuk do të lejohen më në shkolla nga viti i ri shkollor që nis javën e ardhshme, sepse shkelin ligjin laik.

Abaja është një fustan që mbulon tërë trupin, përveç kokës, dhe kombinohet me një hixhab apo shami tjetër të kokës nga gratë myslimane në vendet e botës myslimane, kryesisht në Lindjen e Mesme.

Veran tha se abaja “është qartazi” veshje fetare dhe “sulm politik, shenjë politike”, të cilën ai e cilëson si përpjekje për konvertim në islam.

“Shkolla është laike. Ne e themi këtë në mënyrë shumë të qartë por të prerë: nuk është vend për atë veshje”, theksoi Veran. Zëdhënësi Attal tha ndërkohë të hënën se qeveria e ka bërë të qartë se abaja “nuk e ka vendin në shkolla”.

“Shkollat tona po sprovohen. Muajt e fundit, shkelja e rregullave laike është rritur dukshëm, vecanërisht për veshjen e rrobave fetare, siç është abaja apo qamisi, të cilat janë parë në disa institucione”, tha Attal.

Vendimi i qeverisë për ta ndaluar abajan ka nxitur në vend një debat të ri për rregullat laike të Francës, dhe nëse ato po përdoren për të diskriminuar pakicën e madhe myslimane të vendit.

Një ligj në mars të vitit 2004 e ndaloi “mbajtjen e shenjave apo rrobave në shkollë përmes të cilave studentët tregojnë se i përkasin një feje të caktuar”.

Kjo përfshin kryqet e mëdha të fesë krishtere, kapelat hebraike (kippas) dhe shamitë islamike. Kushtetuta e Francës ua garanton qytetarëve të drejtën për ta praktikuar fenë lirshëm, por i detyron shtetin dhe punonjësit e shtetit ta respektojnë neutralitetin.

SHARE