SCOTT: SA I PËRKET SIGURISË KIBERNETIKE, MALI I ZI ËSHTË NË NJË POZITË SHUMË MË TË MIRË SE NJË VIT MË PARË

Ambasada amerikane në Mal të Zi thotë se vendi ynë është në një pozicion shumë më të mirë përsa i përket sigurisë kibernetike se një vit më parë, kur u godit nga një sulm i madh kibernetik. Ata thonë gjithashtu se është herët të flitet për informacionet që kanë marrë për sulmet, pasi kanë vendosur tabela në kryeqytet ku njoftojnë se Departamenti i Shtetit ofron një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacionin që mund t’i ndihmojë të gjejnë hakerat.

Përmbajtja e billbordit për shumë nuk ishte plotësisht i qartë dhe për çfarë në të vërtetë bëhet fjalë, e shpjegoi eksperti i sigurisë i Ambasadës Amerikane në Podgoricë, Bo Scott.

“Kjo fushatë ofron deri në 10 milionë dollarë për aktivitete që lidhen me zbulimin e aktiviteteve kibernetike keqdashëse që synojnë kryesisht infrastrukturën e Shteteve të Bashkuara. Është shumë herët të flasim për informacionin që po marrim, sepse tabelat u vendosën një javë më parë, ne duhet të kemi parasysh ndjeshmërinë e tyre dhe mbrojtjen e identitetit të personave që na i ofrojnë ato”, tha Scott.

Qytetarët malazezë, megjithatë, duhet të dinë se aktivitetet kibernetike janë të lidhura dhe shpesh synojnë disa vende në të njëjtën kohë, shpjegon Scott.

“Mali i Zi është partneri ynë dhe ne kemi qenë dëshmitarë se sulmet kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara në disa raste drejtohen edhe ndaj aleatëve të saj. Prandaj, informacioni që marrim për çdo grup apo individë, aktivitetet e të cilëve kanë lidhje me Amerikën mund të jenë të dobishme dhe për të tjerët”, thotë Scott.

Scott inkurajon banorët e Malit të Zi që të vizitojnë ambasadën amerikane, nëse kanë ndonjë informacion të rëndësishëm, ku, siç thekson ai, do të kujdesen rreptësisht për mbrojtjen e identitetit të tyre.

SHARE