I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka bërë të ditur se gjatë takimit me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarin, kanë diskutuar “në thellësi “për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Bashkë me ekipet tona, ne e kaluam ditën e djeshme në një diskutim të thellë për dialogun, gjendjen aktuale dhe rrugën përpara, si dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor”, shkroi Lajçak në Twitter për takimin e tyre të 22 gushtit në Bruksel.
BE-ja ndërmjetëson prej më shumë se dhjetë vjetësh në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës në fund të majit, BE-ja ka kërkuar vazhdimisht shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.