Liderët nga Ballkani dhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian do të mblidhen sonte në Athinë me rastin e 20-vjetorit të miratimit të Deklaratës së Selanikut dhe në fokus të takimit do të jetë e ardhmja evropiane e rajonit.
Në darkën joformale, të organizuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, do të marrin pjesë presidentët e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski dhe kryesuesja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Krishto.
Ftesën e kryeministrit të Greqisë, një prej pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohën Kosovën, e ka pranuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa Shqipëria e ftuar në nivel presidenti nuk do të ketë përfaqësues.
Është bërë e ditur se në takim do të marrin pjesë edhe kryeministrat e Kroacisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, Andrej Plenkoviq, Nikolaj Denkov dhe Marsel Çolaku, tre anëtarë të BE-së që nuk ishin pjesë e BE në kohën e samitit në Selanik, ndërsa Presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc Musar u pengua të marrë pjesë.
Ftesa e Mitsotakis u pranua nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Mediat greke thonë se nisma e Mitsotakis nxjerr në pah rolin e Greqisë si shtyllë e stabilitetit, paqes dhe sigurisë energjetike në Ballkan dhe Evropën Juglindore.