Shoqata e Kompanive të Naftës i bën edhe një herë apel Qeverisë dhe ministrisë përkatëse që të ndryshojnë rregulloren për çmimet e karburanteve dhe të ulin akcizën për derivatet e naftës. Ata po ashtu kërkojnë marrëveshje me shtetin, si dhe heqjen e monopolit të tregut.
Rritja e çmimit të Eurodieselit me 10 cent në 1.54 euro dhe të dy llojeve të benzinës me nga 3 cent në 1.62 dhe 1.66 euro është rritja e nëntë e karburanteve që nga fillimi i vitit.
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Kompanive të Naftës, Boris Spaleviq tha se nuk mund të themi se ulja e akcizës është humbje për shtetin.
“Në një anë është, por është humbje edhe për popullin edhe për ekonominë, dhe rritja e konsumit të karburantit jep edhe rritje të fitimit të TVSH-së. Ministria e Financave dhe ajo e Investimeve Kapitale e dinë këtë, por duke heshtur po i bëjnë dëm të madh sektorit të vogël privat dhe qytetarëve”, tha Spaleviq.
Mirëpo, tek ne, siç thotë ai, duke qenë se shteti i vuri putrën ekonomisë, dhe me këtë rregullore i vuri putrën krijimit të atyre çmimeve, “duhet ta heqë atë putër dhe të bëjë një analizë shumë të plotë të kësaj rregulloreje me biznesmenët”, shtoi Spaleviq.