Kavurma – Receta e Vjetër me Mish Viçi dhe Qepë

Kjo pjatë ngjason me jahninë dhe për disa zona konsiderohet edhe si çomlek.

Për ata që nuk e kanë dëgjuar si recetë, Kavurmaja është një traditë e zonave të ftohta të vendit tonë.

Ajo përgatitet zakonisht gjatë stinës së ftohtë por mund të jetë një zgjedhje perfekte edhe tani.

Me shije pikante kjo pjatë do t’ju mrekullojë të gjithëve në familje.

Ndiqni me kujdes hapat e treguar në recetën e AgroWeb.org dhe shijojeni që sot.

Përbërësit:

  • 500 gr mish viçi
  • 2 kg qepë
  • 200 gr gjalpë
  • 1 lugë çaji kripë
  • 5 – 6  boçe hudhër
  • 1 lugë çaji piper i kuq
  • 1 lugë çaji piper i zi
  • 1-2 lugë gjelle uthull

Përgatitja

AgroWeb.org fillimisht ju këshillon që të nisni me përgatitjen e qepëve duke i pastruar dhe qëruar.

Më pas grijini ato në rende ose pritini me thikë sa më hollë.

Në zjarr ndërkohë vendosni një tenxhere që të ngrohet dhe aty hidhni qepët e grira.

Shtoni kripën dhe përziejini me një lugë druri gjatë gjithë kohës në mënyrë që të mos ngjiten.

Kur qepa të fillojë të bëhet transparente shtoni gjalpin dhe mishin e prerë në thela.

Jepini shije me piper të kuq dhe të zi mishit të cilin duhet ta ktheni herë pas here që të skuqet në të gjitha anët.

Në fund shtoni 2 gotë me ujë ose lëng perimesh dhe lëreni të ziejë gjella me kapak për 1 orë në zjarr të ulët.

Boçet e hudhrës pa i ndarë në thelpinj lajini dhe largoni papastërtitë e më pas shtojeni tek tenxherja.

Pasi të shtoni hudhrat, AgroWeb.org ju këshillon që ta lini edhe për 30 minuta në zjarr e më pas shtoni uthullën.

Kur të jetë gati kavurmaja hiqeni nga zjarri dhe shërbejeni për të dashurit tuaj.

Zakonisht shoqërohet me pilaf, patate por edhe turshi./AgroWeb.org

SHARE