MILLATOVIQ DO TË VIZITOJË GREQINË JAVËN E ARDHSHME

Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq do të vizitojë të hënën Athinën me ftesë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, njoftoi Shërbimi Informativ i Presidentit të Malit të Zi.

Siç thuhet në njoftim, Millatoviq do të marrë pjesë në mbrëmjen e punës së bashku me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, si dhe liderët e Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë, Bullgarisë dhe Rumanisë.

“Në ftesën e kryeministrit grek, thuhet se viti i ardhshëm do të jetë i një rëndësie vendimtare për përparimin e rajonit më të gjerë kur bëhet fjalë për procesin e integrimit evropian, veçanërisht në kontekstin e agresionit të vazhdueshëm rus ndaj Ukrainës gjë që ka ndikuar tërësisht në stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit evropian, por edhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

Shërbimi Informativ i Presidentit të Malit të Zi kujton se që nga viti 2003 dhe Samiti i Selanikut, Greqia ka vendosur si objektiv strategjik integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, me synimin për të garantuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit tonë.

SHARE