Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i ka dhënë mandatin për përbërjen e qeverisë së re liderit të Lëvizjes „Evropa Tani“, Millojko Spajiq.
Ai këtë e bëri të ditur në konferencën për media që filloi në ora 12:00 në Rezidencën në Cetinë.
Ai tha se nga Spajiq pret përgjegjësi dhe përshtatshmëri në këtë proces.
“Si president i Malit të Zi, besoj se na duhet një qeveri politike dhe reformuese”, tha Millatoviq.
Ai shtoi se pret që ky proces të jetë gjithëpërfshirës.
Millatoviq tha se negociatat do t’i ndjek me vëmendje të veçantë.
“Spajiqit i është dhënë një përgjegjësi e madhe dhe i uroj sukses në përfundimin e shpejtë të formimit të qeverisë dhe që Mali i Zi të formojë një qeveri stabile që do të fitoj me sukses sfidat me të cilat po përballemi. Nëse ai nuk formon qeverinë, Spajiq mund kthej mandatin, do të bëj një konsultim të ri dhe do t’ia jap mandatin dikujt tjetër”, tha Millatoviq.
Ai vlerësoi se konsultimet që ka bërë me subjektet politike kanë kontribuar në maturimin demokratik.
“Edhe pse afati për përfundimin e konsultimeve është 30 ditë nga data e konstituimit të Kuvendit, unë kam besuar se ato duhet të zbatohen sa më parë. Malit të Zi i duhet një pushtet ekzekutiv stabil. Në procesin e zhvillimit të konsultimeve, unë respektova kompetencat e mia kushtetuese. Konsultimet paraqesin shembull të mirë të përmirësimit të praktikës politike dhe jam i bindur se e kemi tejkaluar qasjen formaliste të së kaluarës. Konsultimet kanë kontribuar në maturimin demokratik”, tha Millatoviq.
Ai tha se qëllimi përfundimtar është një Mal i Zi demokratik.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se jemi përpara një zgjedhjeje të rrugës që do të përcaktojë përfundimisht të ardhmen. Qëllimi përfundimtar duhet të jetë një Mal i Zi demokratik. Pas zgjedhjes së presidentit dhe konstituimit të mbledhjes së re të Kuvendit, formimi i një pushteti i ri ekzekutiv imponohet si një nga detyrat kryesore”, theksoi Millatoviq.
Ai shton se konsultimet kanë treguar se ka një konsensus të përgjithshëm me të gjitha subjektet politike dhe i referohet përshpejtimit të integrimit në BE, luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe përmirësimit të standardit të jetesës.